Në datën 29 tetor 2025, në Shkodër, u zhvillua një takim me aktorët institucionalë dhe operatorët lokalë të transportit, organizuar nga Këshilli i Qarkut Shkodër, në kuadër të projektit SMARTMOBAIR, një iniciativë e financuar nga Programi Interreg IPA ADRION i Bashkimit Europian.
Takimi u fokusua në prezantimin e versionit të përditësuar të veprimit pilot, që parashikon instalimin e sistemit automatik të numërimit të pasagjerëve (APC) dhe pajisjeve GPS në një linjë të transportit publik urban në Shkodër (linja Fermetim-Bahçallëk). Ky sistem do të mundësojë mbledhjen dhe analizimin e të dhënave reale mbi flukset e udhëtarëve dhe performancën e shërbimit, duke ndihmuar në planifikimin më efikas dhe të qëndrueshëm të transportit publik.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Bashkia Shkodër, operatorë të transportit, institucione arsimore, si dhe aktorë lokalë të shoqërisë civile. Diskutimet u përqendruan në integrimin e të dhënave të sistemit APC me platformat ekzistuese të menaxhimit të transportit, nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe përdorimin e të dhënave për përmirësimin e orareve dhe shërbimeve.
Eksperti i jashtëm teknik, Ing. Rixhin Qoshja, prezantoi mënyrën e funksionimit të sistemit dhe përfitimet që sjell për monitorimin në kohë reale të lëvizshmërisë urbane.
Instituti i Transportit, si partner teknik, ofron mbështetje për fazat analitike, përpunimin e të dhënave dhe vlerësimin e performancës së sistemit pilot. Gjithashtu, AIT do të kontribuojë në analizat përfundimtare që do të prezantohen në takimet e ardhshme të projektit.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të teknologjive inteligjente (ITS) në menaxhimin e transportit publik dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për një mobilitet më të qëndrueshëm dhe të bazuar në të dhëna.
Për më shumë informacion mbi projektin SMARTMOBAIR vizitoni faqen:






