Projekti LAERTES

Titulli i projektit: LAERTES – “Lower Adriatic Euro-Region for Transport Evolution and Sustainability”

Akronimi: LAERTES

PROGRAMI: INTERREG IPA

Përshkrim i Shkurtër i Projektit:

LAERTES ka për qëllim zhvillimin e transportit intermodal lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e aksesit në rrjetin TEN-T. I përqendruar në Rajonin e Adriatikut të Poshtëm, në jug të Europës, ky projekt synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike përmes projekteve pilote në territorin ku do të shtrihet. Qëndrueshmëria përballë ndryshimeve klimatike dhe inovacioni janë gjithashtu prioritete kyçe të këtij projekti.

LAERTES synon të hartojë hartën e një rrjeti rrugor inovativ, i cili jo vetëm ofron përmirësim të ndërlidhjes rajonale ndërkufitare, por edhe përmirësim të standardeve të rrjetit ekzistues, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian. Efiçentimi i transportit ajror dhe koordinimi i atij detar synojnë të lehtësojnë lëvizjen e pasagjerëve dhe mallrave, duke shtuar linja të reja mes vendeve të Ballkanit dhe Rajonit të Puglias.

Gjithashtu, LAERTES synon modernizimin e transportit përmes krijimit të sistemeve të informimit në kohë reale mbi itineraret dhe mjetet e ndryshme të transportit. Ky informacion do të reflektojë koordinim dhe shpejtësi të lëvizjes për të gjithë rajonin e Adriatikut të Poshtëm dhe vendet kryesore të Ballkanit.

Aksioni i parë, që do t’i paraprijë tre projekteve pilote të LAERTES, përfaqëson qëllimin e përbashkët të vendeve partnere për të ndjekur të gjithë hapat administrativë të nevojshëm drejt themelimit të Grupimit Europian për Kooperim Territorial “Lower Adriatic Euroregion”.

Krijimi i këtij grupimi, një iniciativë mjaft ambicioze, do t’i shërbejë jo vetëm LAERTES-it, por edhe mundësive të tjera të bashkëpunimit rajonal, si dhe do të lehtësojë procedurat e projekteve të tjera të financuara nga Bashkimi Europian në infrastrukturën e transportit, turizëm dhe sektorë të tjerë, duke reflektuar zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të territoreve të Puglias, Molises, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Qëllimet e projektit

Statusi i veçantë i GEKT “LAE” do të mundësojë procedura të lehtësuara bashkëpunimi mes vendeve partnere dhe ka për qëllim zbutjen e pabarazive, duke promovuar një rritje ekonomike më të njëtrajtshme.

Duke përmirësuar dhe ofruar alternativa të ndërlidhjes mes dy brigjeve të Adriatikut të Poshtëm, pritet të shtohen mundësitë e zhvillimit të turizmit, me synim shtrirjen e tij gjatë gjithë vitit dhe jo më vetëm në formë sezonale.

Pavarësisht diferencave politike dhe kulturore mes vendeve të këtij territori, LAERTES synon të nxisë shkëmbimin kulturor dhe promovimin e vlerave historike dhe të trashëgimisë mes vendeve fqinje.

Projekti Pilot 1, LARAS (Lower Adriatic Regional Air Shuttle), konsiston në krijimin e një rrjeti ajror “hub-and-spoke”, i cili lidh rajonin e Adriatikut të Poshtëm me qytetet kryesore të Ballkanit, duke ofruar një sistem fluturimesh të shpeshta, të shkurtra, ekonomike dhe eficiente.

Projekti Pilot 2, LATIS (Lower Adriatic Transport Information System), synon konceptimin e një sistemi informimi në kohë reale për format e ndryshme të transportit të disponueshme, duke përfshirë oraret, linjat dhe statusin për rajonin e Adriatikut të Poshtëm.

Projekti Pilot 3, LAVITA (Lower Adriatic Vertiports Integrated Transport Architecture), përfaqëson krijimin e një rrjeti vertiportesh në rajonin e Adriatikut të Poshtëm, me synim krijimin e lidhjeve direkte dhe të shpejta mes qendrave urbane, ishujve dhe zonave të thella të izoluara, duke reduktuar në mënyrë drastike kohën e udhëtimit për banorët, turistët dhe bizneset që lëvizin mes destinacioneve dytësore.

Udhëheqësi i projektit:

Agjencia Strategjike për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Territorit – Rajoni Puglia (Itali).

Partnerët:

  • Instituti i Transportit (Shqipëri)
  • Agjencia e Zhvillimit Molise (Itali)
  • ROOF – OJF private (Shqipëri)
  • Ministria e Transportit (Mali i Zi)
  • Ministria e Çështjeve Detare (Mali i Zi)

Kohëzgjatja e projektit: Korrik 2025 – Dhjetor 2027

Vlera e plotë e projektit: 1.042.327,56 EUR

Postime të projektit LAERTES

Njoftime

Materiale Promocionale