Intervistë me Z. Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit dhe Trafikut Rrugor, Bashkia Tiranë

1. A keni të dhena për numrin e mjeteve elektrike që qarkullojnë në Tiranë dhe pikave të karikimit për mjete elektrike?

Sipas të dhënave të DPSHTRr, Regjistrit Kombëtar të Mjeteve, në fund të vitit 2019 kishte 176 mjete 100 % elektrike në Shqipëri (Tiranë). Nga këto 121 mjete janë taksi elektrike të liçensuara nga Bashkia Tiranë.

Në Tiranë kemi 3 pika karikimi “normal charging point” të vendosura në parkimet publike të Bashkisë Tiranë. Operatoret privatë të taksive kanë instaluar 15 pika karikimi Normal dhe Fast Charger për mjetet e tyre elektrike.

Gjithashtu, pika karikimi për makinat elektrike në Tiranë kanë instaluar edhe Policia e Shtetit (Bashkiake) për mjetet e saj elektrike, si edhe disa kompani publike dhe private që i përdorin ekskluzivisht për mjetet e tyre elektrike.

2. Legjislacioni përkatës dhe masat që aktualisht zbaton Bashkia Tiranë per shfrytëzimin, fuqizimin, nxitjen dhe lehtësimin e transportit elektrik.

Me zhvillimin e planifikimeve tona, nga ana e Bashkisë është menduar si incentivim për këtë lloj transporti, mbulimi i kostos së energjisë elektrike.

Me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë në rrugë dhe të emetimit të gazrave, zyrat e transportit në bashki, në përputhje me rregulloren e miratuar nga Këshilli Bashkiak, u japin përparësi autoveturave, që kanë më pak vite nga regjistrimi i parë i tyre.

Në kuadër të reformimit të shërbimit taksi 4+1, duke vendosur kritere të reja me anë të          VKB Nr. 74, datë 7.10.2016 për “Disa ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.2, datë 30.03.2009 mbi “Miratimin e rregullores, për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës (i ndryshuar)””, sipas të cilit viti dysheme i prodhimit të mjeteve për riliçensimet do të jetë 2001, ndërsa për të gjitha mjetet që kërkojnë të liçensohen për herë të parë është kusht që mjeti duhet të jetë i prodhuar (i) jo më shumë se dy vite nga viti i aplikimit për liçencë për personin/at fizik dhe (ii) në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për liçencim për shoqërinë/të tregtare, si dhe specifikat teknike të mjetit/ve duhet të plotësojnë një nga kushtet e mëposhtme:

a) të jetë “Euro 6” ose një standart më i ri (nëse vendoset një i tillë);
b) të jetë “Elektrik”.
c) të jetë “Hibrid”.

Sipas këtij standardi bëhet i mundur rinovimi i flotës së mjeteve taksi, liberalizohet tregu dhe rritet cilësia e shërbimit.

3. Çfarë mangësish ka në legjislacionin shqiptar në lidhje me zhvillimin e transportit elektrik dhe karburanteve alternative?

Politikat në plan legjislacioni bëhen nga pushteti qëndror.

Ende nuk ka një plan kombëtar, as një dokument strategjik kombëtar mbi zhvillimin dhe fuqizimin e transportit elektrik në Shqipëri. Padyshim që kjo mangësi reflektohet edhe në standartin aktual të zhvillimit dhe përhapjes së transportit elektrik në Shqipëri.

4. Me çfare sfidash përballen operatorët e mjeteve elektrike në Tiranë (dhe me gjerë) dhe çfarë masash duhen ende për t’u zbatuar?

Shërbimi i parë taksi me automjete elektrike u prezantua në Tiranë në vitin 2016. Në Tiranë ka disa operatorë taxi që operojnë me mjete elektrike dhe numri i tyre shtohet çdo ditë. Aktualisht (2021), të paktën 6 kompani të ndryshme private të mëdha taksish operojnë me automjete 100% elektrike, për t’u konsideruar edhe operatorë taksi individualë, duke kontribuar kështu shumë për një qytet më të pastër. Infrastruktura e karikimit të këtyre mjeteve blihet dhe instalohet nga vetë kompanitë dhe janë normal ose fast chargers. Në Tiranë aktualisht ka 121 mjete taksi elektrike të liçensuara nga Bashkia Tiranë.

Qyteti i Tiranës është në krye të revolucionit të automjeteve elektrike. Pothuajse të gjitha automjetet elektrike në flotën kombëtare të mjeteve janë të vendosura në Tiranë. Kohët e fundit, Këshilli Bashkiak i Tiranës me rezolutat e tyre kanë krijuar disa stimuj për promovimin e një shërbimi taksi më miqësor dhe më të pastër. Ata synojnë të zvogëlojnë numrin e taksive me vite të vjetra prodhimi, duke i dhënë mundësi liçensimit të automjeteve të reja (me të njëjtin vit prodhimi si viti i aplikimit për liçencim) dhe taksi hibridë dhe elektrikë.

Shërbimi taksi publik në Tiranë meriton të gjitha lavdërimet për të qenë një pionier në transportin elektrik.

Problem mbetet mospërhapja e pikave të karikimit edhe jashtë kufijve të qytetit të Tiranës pasi shpesh operatorët taksi të liçensuar nga Bashkia Tiranë kryejnë shërbime për nga qyteti i Tiranës drejt qyteteve të tjera si destinacion pune apo kohe të lirë apo pika me interes historik, kulturor, arkeologjik, turistik etj. Kjo mungesë pikash karikimi në të gjithë rrjetin rrugor kombëtar shqiptar apo nyje të rëndësishme transporti si: terminale transporti, porte, aeroporte etj, e vështirëson apo kufizon përdorimin e këtyre mjeteve.

5. Sfidat dhe planet për të ardhmen (ndonjë projekt të mundshëm…).

Bashkia e Tiranës brenda gushtit 2021 nis funksionimin e linjës së madhe unazore 13.2 km me 66 stacione me një flotë autobusësh hibridë elektrikë.

Me gjeneratën e re të transportit publik, autobusët hibridë elektrikë do të jenë në shërbim, për një Tiranë të gjelbër dhe të pastër.

Flota e re e autobusëve hibridë elektrikë në Tiranë